FC Shkupi edhe këtë vit do të prezantojë Maqedoninë e Veriut në ndeshjet e Liga Europa, ndërsa fati deshi që skuadra nga Çairi në turin e parë eliminatorë të peshkojë skuadrën armene të Pjunik, që edhe më herët ishte përballur me skuadra nga vendi ynë, si me Pobedën, Teteksin dhe Vardarin, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshjen e parë FC Shkupi do ta zhvillojë në transfertë me datë 11 korrik me fillim në ora 15:30, ndërkohë edhe pse për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Shkup qëndron data 18 korrik dhe ora 19:00, e njëjta mund të pësojë ndryshime, duke pasur parasysh se me të njëjtën datë dhe të njëjtën kohë edhe Makedonija Gj.P do të mirëpret ekipin armen të Alashkert.
Siç dihet tanimë, skuadra fituese nga përballja midis Pjunik dhe FC Shkupit në raundin e dytë eliminatorë do të përballet me ekipin e Jabllonec nga Republika Çeke, ndërkohë Makedonija Gj.P në rast eliminimi të Alashkert, do të përballej me fituesin nga ndeshja midis rumunëve të Steaua Bukuresht dhe Milsami Orhei nga Moldavia.
Skuadra e tretë përfaqësuese e Maqedonisë, Akademia Pandev na raundin e parë do të jetë nikoqir i skuadrës boshnjake të Zrinjski, ndeshje kjo që do të zhvillohet në arenën “Todor Proeski” në Shkup me fillim në ora 19:00 (11 korrik), ndërkohë një javë më pas në po të njëjtin termin do të zhvillohet edhe ndeshja e kthimit në Bosnje e Hercegovinë, transmeton “infOSport.mk”.
Rikujtojmë skuadra fituese nga kjo përballje në raundin e dytë do të përballet me holandezët e Utreht.