Pas koreanit, Hjung-Jon Li, skuadra e Rabotnikit gjatë ditës së sotme përmes faqes zyrtare ka njoftuar edhe për përforcimin e dytë në këtë merkatoje vere. Emër i ri te “romantikët” është portieri, Damjan Shishkovski, i cili vjen nga rradhët e skuadrës finlandeze të Rops, njofton “infOSport.mk”.
Gardiani 24-vjeçar kësaj skuadre iu bashkua shkurtin e këtij viti, ndërsa më parë ishte pjesë e Lahtit, te e cila skuadër u transferua shkurtin e vitit 2018-të, pikërisht nga Rabotniçki.
Po nga skuadra nga “Parku i Qytetit”, Shishkovski kishte bërë edhe transferimin e parë jashtë Maqedonisë, kur në vitin 2015-të i ishte bashkuar skuadrës së Gent, ndërsa do të jetë ky rikthimi i dytë te skuadra e tij e fëmijërisë, me të cilën ka nënshkruar kontratë një vjeçare.
Megjithatë nga klubi i Rabotniçkit, njoftuan se Shishkovski skuadrës së tyre do i bashkohet vetëm pasi të përfundojë aventurën europiane me Rops në Liga Europa.
Ndërkohë nën drejtimin e trajnerit të ri, Aleksandar Vlaho, Rabotniçki nesër me fillim në ora 18:00 do të startojë përgatitjet për sezonin e ri, ku shpreson që në fund të arrijë ti rikthehet Europës.