Useini-Emini, dy “tezakët” që do “luftojnë” në derbin e Anamoravës

Drita dhe Gjilani kanë qenë pa dyshim dy skuadrat më aktive në këtë fillim merkatoje në Superligën e Kosovës, shkruan “infOSport.mk”. Drejtuesit e të dyja skuadrave kanë angazhuar futbollistë shumë cilësorë, përfshirë këtu edhe dy futbollistët tetovarë, Muhamed Useini dhe Izair Emini.

Ky i fundit pranoi ofertën e Dritës, që e bëri futbollistin më të paguar te kjo skuadër, ndërsa Useini pranoi ofertën e Gjilanit.

Që të dy dikur shokë skuadre te Shkëndija, por mbi të gjitha edhe familjarë, (djem të tezes) do të duhet të “luftojnë” në derbin e madh të Gjilanit, apo siç njihet ndryshe, Derbi i Anamoravës.

Ndeshjet mes këtyre dy skuadrave ndajnë familjet për një çast, njëjtë sikurse do të ndodh me siguri brenda 90-të minutave në fushë edhe mes Izair Eminit dhe Muhamed Useinit.

Kur luajnë Drita dhe Gjilani, qyteti përgatitet që javë më parë, duke i dhënë bukurinë sportive, pasi atyre ditëve shtëpitë stolisen me ngjyrat sipas skuadrave që i favorizojnë.

Në bazë të statistikave që kanë të bëjnë me banorët e Gjilanit, thuhet se atë ditë 25% e qytetit ndodhet në stadium, ndërsa e gjithë kjo tregon dashurinë e vërtetë për futbollin në këtë qytet, e që rivaliteti dhe emocionet të jenë edhe më të mëdha, kontribut të veçantë kanë dhënë edhe drejtuesit aktual të klubeve, që nuk po kursejnë në përforcimet e reja për sezonin e ri.

Me siguri sezonin e ri futbollistik derbi midis Dritës dhe Gjilanit, përveç interesit të madh që do të zgjojë në vetë qytetin e Gjilanit, do të zgjojë edhe në Tetovë, vendi nga vijnë dy përforcimet më të shtrenjta të skuadrave nga Anamorava.

Leave a Reply