Jasir Asani te Partizani po kalon momente shumë të mira. Shkupjani edicionin e fundit ndihmoi skuadrën nga kryeqendra shqiptare që të shpallej kampion pas plotë 16 viteve, ndërsa paraqitjet e tij nuk mbetën pa u vërejtur edhe nga menaxherë të huaj, që dëshirojnë të bindin 24-vjeçarin për të ndryshuar mjedis. Burime të afërta me “infOSport.mk”, bëjnë me dije se për shërbimet e ish futbollistit të FC Shkupit dhe Vardarit interesohet skuadra nënkampione e Hungarisë, Mol Vidi, që ka ofruar plotë 550 mijë euro.
Një shifër kjo shumë e lartë, që mund të ndryshojë mendjen e drejtuesve të Partizanit, që e shohin Asanin si pjesë të rëndësishme të skuadrës për ndeshjet eliminatore në Ligën e Kampionëve.
Rikujtojmë Partizani në raundin e parë eliminatorë të ligës më prestigjioze europiane do të përballet me Karabagun e Azerbejxhanit, teksa Mol Vidi në kuadër të ndeshjeve të Liga Europa do të luaj me skuadrën malazeze të Zeta.
Ambiciet e skuadrës së Mol Vidi këtë edicion janë shumë të larta, ndërsa më së miri për këtë flet edhe tentativa e tyre e mëhershme për të bërë për vete mbrojtësin e Shkëndijës, dhe njëherit anëtarin e përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Visar Musliu.