Besmir Bojku ka debutuar me fitore me fanellën e Feronikelit. Strugani ishte titullarë në fitoren 1:0 të skuadrës nga Drenasi përballë Lincoln Red Imps FC, ndeshje kjo e vlefshme për gjysmëfinalet e raundit paraeliminatorë të Ligës së Kampionëve Europian, njofton “infOSport.mk”.
Bojku si gjithnjë u tregua një luftëtarë i vërtetë në fushën e blertë, duke dhënë maksimumin, ndërsa në fund edhe më shumë atë e gëzoi fitorja dhe kalimi në finale.
“Ishte kjo ndeshja e parë për mua me Feronikelin dhe që luaj bashkë me këta lojtarë. Nuk njihemi mirë, mirëpo besoj se nga ndeshja në ndeshje do vijnë rezultatet, madje edhe më të mira. Sigurisht që kjo fitore është shumë e rëndësishme për mua personalisht, por edhe për skuadrën në përgjithësi. Jam shumë i lumtur dhe shpresojë të vazhdojmë me këtë ritëm” – tha enkas për “infOSport.mk”, Besmir Bojku, i cili foli edhe për ndeshjen finale që i pret kundër Santa Coloma nga Andora.
LEXO GJITHASHTU: Feronikeli i Ramadanit dhe Bojkut kalon në finalen e raundit paraeliminatorë (VIDEO)
“Mendoj se jemi ekip më kualitativ, mirëpo një gjë të tillë do të duhet ta dëshmojmë edhe në fushën e blertë. Nëse e përsërisim lojën e ndeshjes së sontme, besoj se pa probleme do ta kalojmë edhe këtë kundërshtarë” – përfundoi Bojku, i cili te Feronikeli po luan në formë huazimi nga rradhët e Shkëndijës.
Ndeshja midis Feronikelit dhe Santa Coloma në program është të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim në ora 20:45.