Xhudoja vazhdon të jetë sporti më i suksesshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare. Pas të artës së Majlinda Kelmendit dhe të argjendtës së Nora Gjakovës, radha i erdhi medaljes së bronztë të Loriana Kukës në Lojërat Evropiane “Minsk 2019”.
Loriana deri te kjo medalje arriti përmes repesazhit, pasi në çerekfinale u mposht nga holandezja Guusje Steenhuis, duke e humbur mundësinë që ta ndjekë medaljen e artë.
Megjithatë, Loriana ishte këmbëngulëse në ndjekjen e medaljes së bronztë në kategorinë deri në 78 kg. Ajo e fitoi të drejtën për të luftuar për këtë medalje duke e mposhtur gjermanen Anna Maria, derisa në luftën për të bronztën Loriana e mposhti gjermanen tjetër, Luise Malzahn, në një duel shumë të fortë, duke e hedhur në dysheme vetëm 22 sekonda para mbylljes së duelit.
Për Kosovën kjo ishte medalja e 3-të në Lojërat Evropiane në Bjellorusi. Në ditën e parë të garave Majlinda Kelmendi kishte fituar medaljen e artë, ndërsa Nora Gjakova të argjendtën.