Atë që paralajmëruam orë më parë, tashmë u bë realitet. Mevlan Adili edhe zyrtarisht është bërë pjesë e FC Shkupit, skuadrës së tij të zemrës, me të cilën ka nënshkruar kontratë një vjeçare, njofton “infOSport.mk”.
Adili firmosi në prani të kryetarit Suat Alija dhe drejtorit sportiv, Omer Bunjaku, të cilët me siguri se kanë bërë një punë të madhe me angazhimin e mbrojtësit shkupjan, i cili pritet që të jetë një përforcim shumë i madh për ndeshjet eliminatore të Liga Europa.
Adili së fundmi ishte pjesë e skuadrës lituaneze të Zhalgiris, ndërsa pasi shkëputi kontratën me këta të fundit ai u rikthye në vendlindje. Edhe pse në adresë të tij erdhën më shumë oferta nga skuadra të ndryshme edhe jashta Maqedonisë, Adili vendosi ti thotë “PO” dashurisë së tij të parë, FC Shkupit, klubin ku edhe u rrit si futbollistë.
Adili tashmë disa ditë është stërvitur me ekipin “bardhekaltër” nga Çairi, ekspedita e së cilës të hënën do të udhëtojë për në Bollu të Turqisë, atje ku do të zhvillojnë fazën kryesore të stërvitjeve në prag të ndeshjeve me Pjunik, në kuadër të rrethit të parë eliminatorë të Liga Europa.