Sabjen Lilaj tashmë ka vendosur për skuadrën e tij të re. Edhe pse emri i tij ndërlidhej edhe me kampionët e Shkëndijës, një gjë e tillë nuk do të ndodh, pasi mesfushori shqiptarë ka zgjedhur të luajë jashtë Ballkanit, duke pranuar një ofertë mjaft të mirë financiare nga Izraeli.
Sipas “Sport Ekspres”, Lilaj ka firmosur për Sektzia Nes Tziona, një skuadër e sapongjitur në elitën e futbollit në këtë vend. Mesfushorit i është ofruar një kontratë dyvjeçare nga e cila do të përfitojë 300 mijë euro.
Lilaj drejt Izraelit pritet të udhëtojë në ditët e ardhshme për të hedhur të zezën mbi të bardhën në marrëveshjen e re që arriti të finalizonte për të vazhduar karrierën, pas eksperiencës së fundit që kishte te Gabala në Azerbajxhan.
Për 30-vjeçarin Lilaj do të jetë kjo skuadra e 6-të në karrierë, pasi më parë ka luajtur me Tiranën, Lokomotiv Zagrebin, Skënderbeun, Kukësin dhe Gabala.