Olimpik Marseja këtë merkato është vënë pas futbollistëve shqiptarë me origjinë nga Maqedonia. Pas interesimit të shfaqur për shërbimet e tetovarit, Riza Durmishi të Lacios, drejtuesit e skuadrës së njohur franceze tashmë i kanë vënë syrin edhe Ezgjan Alioskit të Lids Junajted.
Paraqitjet e tij pozitive me skuadrën angleze, e në veçanti me përfaqësuesen e Maqedonisë, kanë bërë që shumë skuadra të kthejnë sytë nga ai. Alioski sezonin që lamë pas ishte i pafat me Lids Junajtedin, pasi përmes ndeshjeve të “play-off” nuk arriti që të promovohet në Premierligë, ndërsa pikërisht kjo ka bërë që Alioski të rishikojë ofertat që vijnë në adresë të tij.
Futbollisti me origjinë nga Prilepi sezonin e kaluar me Lids Junajtedin zhvilloi 44 ndeshje në “Championship”, duke realilzuar edhe 7 gola, ndërsa me përfaqësuesen e Maqedonisë së Veriut, ai numëron 26 paraqitje dhe 6 gola të shënuar.
Vlera e 27-vjeçarit sipas “transfermarkt” kap shifrën e 4 milion eurove, shumë kjo që për skuadrën franceze nuk duhet të jetë problem, pasi me afrimin e Alioskit sulmi i skuadrës nga “Velodrome” do të përfitonte në cilësi.