Përforcimi i parë i afatit kalimtar të verës te FC Shkupi, Fatjon Jusufi, ka folur rreth gjasave që skuadra e tij e re të kalojë në raundin e dytë eliminatorë, ku i pret përballja me ekipin e Jabllonec nga Republika Çeke. Jusufi te FC Shkupi erdhi nga rradhët e Shirak të Armenisë, ndërsa në intervistën e dhënë për faqen zyrtare të klulbit nga Çairi, ai ka folur edhe për kundërshtarin e rrethit të parë, Pjunik, që vjen pikërisht nga kampionati armen, aty ku Jusufi kishte një aventurë disa mujorshe.
“Sa i përket ekipit të Pyunikut mundë të them se ka një skuadër shumë kompakte dhe si ekip është mjaft mirë i organizuar. Mirëpo duke marrë parasysh lojën e ekipit tonë dhe lojtarëve që kemi dhe që pritet të bashkohen, nuk mund të quhet befasi nëse e kalojmë raundin e parë. Eksperienca ime në Armeni dhe me ekipin e Shirak-ut ishte e shkurtër, dhe aq sa kisha mundësi, kam arritur të njoh nga afër kampionatin armen. Ekipet armene në përgjithësi i karakterizon loja luftarake dhe fizike. Ndërkohë nëse bëjmë krahasim me futbollin tonë, që është karakteristikë e ekipeve nga Ballkani, ne kemi më tepër veti teknike, gjë që na favorizon kundrejt tyre. Andaj duhet pasur shumë kujdes që të nxjerrim rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë, që më pas në Shkup të jetë një finale e vogël, për të bërë hapin e parë dhe të kalojmë në raundin e dytë” – ka thënë Fatjon Jusufi për faqen zyrtare të klubit.
Ndeshjen e parë të rrethit të parë eliminatorë kundër Pjunik, FC Shkupi do ta zhvillojë në transfertë, ndërsa atë të kthimit në Shkup, në arenën “Todor Proeski” do ta zhvillojë një javë më pas.