Sot edhe zyrtarisht skuadra FC Shkupit ka startuar me përgatitjet për sezonin e ri, e ku fillimisht do të masë forcat me skuadrat europiane në kuadër të ndeshjeve eliminatore të LIGA Europa, njofton “infOSport.mk”. Te skuadra nga Çairi mbretëronte një atmosferë shumë pozitive, pas atij sezoni mjaft të vështirë dhe me shumë sfida, por që në fund doli të jetë festiv, pasi skuadra “bardhekaltër” për të dytin vit me rradhë do të luaj në Europë.
“Fillimisht uroj të keni shëndet të plotë dhe të fillojmë me këmbë të mbarë. Pas nesh lamë një sezon me sukses por dhe me mjaft sfida. Tani përpara kemi fazën përgatitore dhe ndeshjet e UEFA Europa Ligës, që do të thotë edhe këtë vit ne e fillojmë shumë herët me punë. Andaj mendoj se me këtë grup që jemi tani dhe me ardhjet që do të kemi në vazhdim, mendoj të bëjmë një ekip të fortë dhe të vazhdojmë edhe një betejë të re në të gjitha sfidat që na presin”, ka thënë Karan për faqen zyrtare të klubit.
FC Shkupi deri të shtunën do të punojë me nga dy seanca stërvitore në Çair, e diela do të jetë ditë e lirë për futbollistët, të cilët të hënën do të udhëtojnë për në Turqi, për në kampin stërvitor në Bolu, ku varësisht nga shorti i nesërm do të organizohet edhe qëndrimi i ekipit, ndërsa stafi i menaxherëve të ekipit është në përgatitje të planit të punës dhe ndeshjeve kontrolluese.