Struga Trim Lum që edicionin 2019/2020 për herë të parë në historikun e saj do të luaj në elitën e futbollit vendor, tashmë ka bërë edhe goditjen e parë në merkato. “infOSport.mk” mëson se pjesë e Struga Trim Lum në sezonin e ri do të jetë sulmuesi i Renovës, Emran Ramadani.
Ky i fundit me skuadrën strugane ka nënshkruar kontratë një vjeçare, duke përforcuar dukshëm repartin e sulmit të Struga Trim Lum, që ditëve në vijim pritet të sigurojë edhe emra të tjerë të rinj, me qëllim që në sezonin e saj debutues në mesin e më të mirëve të luaj një rol të rëndësishëm.
Ramadani sezonin e fundit me fanellën e Renovës regjistroi 31 paraqitje dhe 11 gola të shënuar. Ai pritet që të jetë lideri i ri në sulmin e Struga Trim Lum, kjo falë edhe eksperiencës së tij në Ligën e Parë, duke pasur parasysh se pjesë e Renovës ishte për 5 vite të plota (2013-2018), duke regjistruar 150 paraqitje dhe 30 gola të shënuar, ndërsa gjatë karrierës së tij ai gjithashtu kishte veshur edhe fanellën e Shkëndijës, Korabit dhe Partizanit të Tiranës.