Ka disa ditë që përflitet për një largim të mundshëm të mbrojtësit të krahut të majtë të Shkëndijës, Gledi Mici, por destinacioni i tij i rradhës akoma nuk dihet. Gjithsesi burime të “infOSport.mk” thonë që futbollisti ka kërkuar të largohet, pasi ka oferta nga dy super klube në ligën amerikane.
Bëhet fjalë për Orlando City, aty ku një periudhë luajti dhe super ylli brazilian Rikardo Kaka dhe për klubin Phoenix Rising, aty ku kontribut dha ish futbollisti i dalluar i Çelzit, Didier Drogba.
Ndërkohë te Shkëndija gjatë javës së kaluar ka patur goxha lëvizje, largime, rinovime kontratash, por akoma nuk dihen prurjet e reja që do ta përforcojnë klubin për ndeshjet eliminatore të Ligës së Kampionëve për edicionin që pason.
Emrat më të komentuar në rrjetet sociale janë, ai i brazilianit të Vardarit, Huan Felipe dhe ish kapitenit të tyre, Ferhan Hasani – Buba.
Ky i fundit pas një sezoni në ligën arabe të klubi Al Raed, duket se sërish do të rikthehet në Tetovë, por gjithsesi duhet theksuar se në adresë të tij kanë vërshuar oferta edhe nga disa klube të tjera, kryesisht ato të ligës turke.