Federata e Futbollit e Kosovës, e cila sivjet do të jetë mikpritëse dhe organizatore e ndeshjeve të rrethit paraeliminator të Ligës së Kampionëve, gjatë ditës së djeshme ka arritur marrëveshjen me zyrtarët e UEFA-s rreth terminit të ndeshjeve gjysmëfinale dhe finale të kësaj faze.
Kësisoj, të martën e 25 qershorit, ndeshja e parë gjysmëfinale do të jetë ajo ndërmjet SP Tre Penne nga San Marino dhe Santa Coloma nga Andorra, e cila do të zhvillohet prej orës 15:00, derisa në orën 20:45 do të luajnë Feronikeli i Zekirja Ramadanit dhe Lincoln Red Imps nga Gjibraltari.
Ndërkohë, ndeshja finale ndërmjet dy skuadrave fituese do të zhvillohet të premten e 28 qershorit, në orën 20:45.
Të gjitha ndeshjet do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, ndërsa skuadra fituese do të vazhdojë garat në ndeshjet eliminatore, ku e presin kundërshtarë më të fuqishëm.