Pas fitores së madhe të përfaqësueses A të Kosovës mbrëmë ndaj Bullgarisë, një fitore tjetër të rëndësishme regjistroi edhe përfaqësuesja shpresa e Kosovës, që sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” mundi Turqinë me rezultatin 3:1, njofton “infOSport.mk”.
Të besuarit e Rafet Prekazit më shumë e dëshironin fitoren në këtë ndeshje, për të cilën luftuan deri në fund, ndërsa fitoren e “dardanëve” të rinj e paralajmëroi Arbenit Xhemajli, me golin e realizuar në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.
Mysafirët e nisën më mirë pjesën e dytë duke barazuar shifrat në minutën e 46-të përmes Dervishoglut. Megjithatë ky gol nuk hutoi djemtë kosovar, pasi ata luftuan si luana të vërtetë në fushën e blertë, ndërsa në minutën e 72-të me anë të Mirlind Dakut sërish kaluan në epërsi.
Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar, pasi në minutën e 89-të përmes një kundërzbritje, Lirim Kastrati shënoi edhe golin e 3-të për shpresat e Kosovës, që në këtë mënyrë me 6 pikë nga dy ndeshje kryesojnë grupin 3 eliminatorë për Europianin e vitit 2021.
Vlen të theksohet se edhe në këtë ndeshje futbollistët “dardan” gjatë shënimit të golave rikujtuan Arbër Zenelin, yllin kosovar, i cili u dëmtua në ndeshjen me Malin e Zi.