Angellovski: Nuk e ndryshojmë stilin e lojës, kërkojmë tre pikë ndaj Austrisë

Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut të hënën do të përballet me Austrinë në kuadër të eliminatoreve për Kampionatin Europian 2020. Duke lënë pas vetes disfatën e së premtes nga Polonia, përfaqësuesja e vendit tashmë është fokusuar në takimin e radhës ndaj austriakëve. Maqedonia do të përballet për herë të parë me Austrinë, ndërsa seleksionuesi Igor Angellovski dhe sulmuesi Ilija Nesterovski pretendojnë të marrin më të mirën nga kjo përballje, duke kompensuar kështu pikët e lëshuara përballë Polonisë.

“Patjetër të vazhdojmë të insistojmë të jemi në nivel të detyrës. Ne luajmë mirë në kontuinitet, kjo nuk ndodhi vetëm kundër Polonisë, por edhe me Slloveninë dhe Letoninë. Për fat të keq kjo nuk na solli rezultat, mirëpo shpresoj se kundër Austrisë do të fitojmë pikët. Nuk kam ndërmend të heq dorë nga stili ynë i lojës edhe në të ardhmen. Austria ka cilësitë e veta, kishim mundësi të analizojmë ndeshjen e tyre kundër Sllovenisë në të cilën fituan. Posedojnë cilësi individuale, por edhe si ekip janë mjaft të mirë. Është fundi i sezonit, por mendoj se do të qëndrojnë në stilin e tyre për t’u koncentruar në lojë me duele dhe shumë vrapim”, ka thënë seleksionuesi Angellovski.

Takimi Maqedoni-Austri do të zhvillohet të hënën në arenën “Todor Proeski”, duke nisur nga ora 20:45.

 

Leave a Reply