Aliji e Binaku me probleme, opsion për Kombëtaren Besir Demiri

Kombëtarja e Shqipërisë po vijon seancat stërvitore për dy ndeshjet e qershorit, ndërsa për seleksionuesin Edy Reja si duket nuk ka qetësi, pasi shqetësime fizike së fundmi kanë shfaqur Naser Aliji dhe Egzon Binaku.

Në stërvitjen e djeshme Aliji ka kryer disa ushtrime fizike të lehta veçmas nga pjesa tjetër e grupit së bashku me Ledjan Memushajn që është stërvitur i diferencuar. Ndërkohë edhe Egzon Binaku mund të mos i bashkohet Kombëtares, pasi mbrojtësi i Norrkopingut ka pësuar një dëmtim në pjesën e gjurit dhe një përgjigje përfundimtare do të mund të jepet vetëm pas testeve mjekësore më të detajuara që do të kryejë lojtari.

Në këtë situatë, kur dy mbrojtësit e majtë si Aliji dhe Binaku janë në pikëpytje, opsion për seleksionuesin Edy Reja mund të jetë Besir Demiri nga Shkupi. Mbrojtësi i majtë që para disa javëve përfundoi kontratën me Mariupolin e Ukrainës, ka qenë i grumbulluar vetëm njëherë me Kombëtaren në periudhën e Panuçit, por nuk ka luajtur ende asnjë minutë në ndeshje zyrtare./InfOSport.mk

Leave a Reply