Gati “fshesa” te Shkëndija, ja cilët futbollistë pritet të largohen!?

Shkëndija përveç emrave të rinj që po përgatitet ti afrojë në prag të ndeshjeve europiane, njëkohësisht po përgatit edhe “fshesën”, njofton “infOSport.mk”.

Pasi drejtuesit e skuadrës shpenzuan disa mijëra euro gjatë merkatos së verës së kaluar për transferimin e disa lojtarëve, të njëjtit po mendojnë edhe largimin e disa prej tyre, duke pasur parasysh se nuk përfituan asgjë nga loja e tyre.

I pari në listë që përflitet është sulmuesi Samir Fazli, i cili nuk arriti dot të shfrytëzojë hapësirën e dhënë pas lëndimeve të Besart Ibraimit dhe Marjan Radeskit. Ai në 20 ndeshje të zhvilluara realizoi vetëm 2 gola, që është shumë pak për një sulmues.

Një tjetër emër që pritet të largohet nga “kuqezinjtë” është edhe Remzifaik Selmani, i cili nuk arriti dot të gjejë hapësirat e duhura te Shkëndija, ndërsa së fundmi luante në formë huazimi te Llapi.

Si duket sezonin e fundit te Shkëndija ka zhvilluar edhe Bllagoja Todorovski. Mbrojtësi i djathtë dy sezonet e fundit shihet vetëm si opcion rezervë, ndërsa pjesën vjeshtore të këtij edicioni ai e kaloi në formë huazimi te Rabotniçki.

Mbrojtësi i talentuar i ardhur nga Akademia Pandev, Konstantin Çeshmexhiev, gjithashtu mund ti thotë lamtumirë Shkëndijës. I pakënaqur me hapësirat e dhëna nga ana e trajnerit Osmani, dhe duke parë konkurrencën e fortë në vijën e fundit të mbrojtjes, i njëjti ka kërkuar largimin, edhe pse dëshira e stafit të “kuqezinjëve” është që ai të mbetet pjesë e Shkëndijës.

Ndër emrat që përfliten se mund ti thonë lamtumirë Shkëndijës, janë edhe Besmir Bojku dhe Izair Emini, të cilët me kualitetin që posedojnë me siguri se në ndonjë skuadër tjetër të Ligës së Parë do të ishin titullarë të padiskutueshëm, shkruan “infOSport.mk”.

Pas këtyre largimeve eventuale drejtuesit e Shkëndijës presin që të futen përsëri në merkato që të plotësojnë dëshirën e trajnerit Qatip Osmani për afrimin e ndonjë futbollisti cilësor, duke pasur parasysh se ambiciet e skuadrës tetovare këtë vit janë grupet e Liga Europa, apo edhe të Ligës së Kampionëve.

Leave a Reply