Shkëndija sezonin garues 2018/2019 e mbylli si kampionë, duke u shpallur edhe për herë të tretë kampion i vendit. Nisur nga ky fakt që një gjë të tillë kishte siguruar që javë më parë, ndeshja e fundit e sezonit me Renovën nuk kishte asnjë vlerë në aspekt të rezultatit.
Disfata 3:2 nuk ndryshoi asgjë për Shkëndijën që edhe këtë ndeshje inkuadroi formacionin rezervë dhe disa lojtarë nga ekipi i juniorëve.
“Humbja si humbje nuk është e mirë, por ne jemi në situatë të volitshme që jo vetëm të kombinojmë formacionin por inkuadruam disa futbollistë nga ekipi i juniorëve. Kjo na mundësoi të kemi pasqyrë më të mirë për vitin e ardhshëm. Mendoj se në këtë drejtim i’a arritëm qëllimit pasi mundëm të shohim se disa lojtarë kanë potencial. Në 40 minutat e para ishim shumë të mirë, avansuam dhe kontrollonim lojën. Pastaj ndodhi një rënie e koncentrimit që ekipe me përvojë si Renova dinë ta ndëshkojnë. Në përgjithësi nëse heqim rezultatin unë jam i kënaqur me atë që pamë në këtë ndeshje”, – tha trajneri Osmani pas përfundimit të ndeshjes.