Sot në elitën e futbollit vendor në program janë ndeshjet e javës së 36-të, me ç’rast edhe përfundimisht ul siparin edicioni 2018/2019, njofton “infOSport.mk”.
Mosdhënia e liçencës për ekipin e Vardarit si dhe triumfi i Akademia Pandev në kuadër të Kupës së Maqedonisë, kanë bërë që apetitet e 4 skuadrave, si Rabotniçki, FC Shkupi, Renova dhe Makedonija GJ.P të shtohen dhe të njëjtat të kërkojnë pozitat 4 dhe 5, që do ju siguronin atyre një vend për në ndeshjet eliminatore të Liga Europa.
Ndeshja që tërheq më shumë vëmendje, është ajo midis Rabotniçkit dhe FC Shkupit në arenën “Todor Proeski”. Ekipit vendas do i konvenonte edhe një barazim për të qenë i sigurtë për në Europë, ndërkohë në anën tjetër FC Shkupit i nevojitet vetëm fitorja.
E gjithë kjo e bënë shumë interesante këtë ndeshje, ndërsa paralelisht zhvillohen edhe dy takimet tjera, ku gjithashtu skuadrat pretendojnë Europën.
Renova do të përballet me Shkëndijën dhe fitorja mban gjallë shpresat e tyre deri në fund për një vend në Europë, teksa Makedonija Gj.P nuk duhet të ketë probleme në përballjen kundër Pobedës si mysafir.
Në dy ndeshjet tjera të javës së fundit Akademia Pandevi do të mirëpret Vardarin, ndërkohë në Kratovë Sileksi do të përballet me Bellasicën.
Të gjitha ndeshjet startojnë në ora 16:30.