Kur doli informacioni se komuniteti musliman në Seviljë po humbte një xhami të improvizuar , ish-sulmuesi i Totenhamit dhe Seviljës, Frederik Kanute e dinte se ai kishte për të ndihmuar që kjo mos ndodhte, shkruan BBC.
Në vitin 2007, pronari i tokës vendosi të shesë ndërtesën e cila shërbente pjesërisht si një xhami, pikërisht në “Ponce de Leon” të qytetit andaluzian.
“Unë i ndihmova muslimanët në Sevilje disa vjet më parë, por në atë moment ata kërkuan siguri dhe një vend për t’u lutur. I ndihmova ata të mbanin xhaminë e tyre të përkohshme”, tha ish-futbollisti i njohur.
Kanute pastaj dhuroi 700,000 dollarë që ai vend ku muslimanët do të luteshin të mos mbyllej. Por sot, këta të fundit kanë probleme të reja. Të shtuar në numër, ata kanë nevojë për një vend më të madh për lutje dhe kjo bëri që Kanute të ndihmojë sërish.
Ai tashmë dëshiron të ndërtojë një xhami në tre kate që do të kenë funksionin e saj të duhur, që është lutja.
Xhamia gjithashtu do të ketë parkim nëntokësor dhe Kanute dëshiron të dhurojë 250,000 sterlina për këtë qëllim. Dhe kjo është xhamia e parë pas 700 vitesh në këto anë të Spanjës, që pothuajse në këtë hark kohor dikur u udhëhoq nga muslimanët me një prej qytetërimeve më të ndritura që ka patur Europa.
Kanute erdhi në Seviljë në vitin 2005 nga Totenham. Ai fitoi Kupën UEFA, dy Kupa Mbreti, Superkupën europiane dhe atë spanjolle.
Ai u zgjodh si lojtari më i mirë i Afrikës në vitin 2007. Ai gjithmonë qëndroi në zemrën e tifozëve në stadiumin “Ramon Sançez Pizhuan”.
“Kam luajtur aty për shtatë vjet dhe si një musliman jam i pari në kërkim të një vendi në qytet ku mund të lutemi. Këtu është një komunitet i madh besimtarësh muslimanë që nuk janë vetëm emigrantë”, tha Kanute.
Spanjollët Ibrahim Hernandez dhe Lukman Nieto kanë bërë projektin e xhamisë së re dhe Kanute, i cili ka mbajtur lidhje të forta me Seviljën, vendosi të ndihmojë.