Ish futbollisti i Shkëndijës gati ti bashkohet Struga Trim Lum

Struga Trim Lum sot do të zhvillojë ndeshjen e fundit të saj në kuadër të Ligës së Dytë kundër Labunishtit, pas së cilës edhe përfundimisht do të festojë titullin e kampionit në Konferencën e Perëndimit dhe inkuadrimin në mesin e më të mirëve për sezonin e ardhshëm 2019/2020.

Ky sukses si duket ka mobilizuar të gjithë te skuadra strugane, e në veçanti drejtuesit e klubit, të cilët që tani po bëjnë planet rreth përforcimeve eventuale.

Siç mëson “infOSport.mk” drejtuesit e klubit të Struga Trim Lum do të kontaktojnë të parin Artim Pollozhanin, një emër i njohur ky për futbollin vendor, i cili në të kaluarën kishte luajtur edhe me Bashkimin, Makedonija GJ.P., Vardarin dhe Shkëndijën. Me këta të fundit ai ishte shpallur edhe kampion, ndërsa tashmë afër dy vite është pjesë e skuadrës së Flamurtarit në Superligën shqiptare.

Emri i Pollozhanit me një kalim të mundshëm te Struga Trim Lum ndërlidhej edhe vitin e kaluar, mirëpo si duket tashmë është momenti i duhur që 36-vjeçari ti bashkohet skuadrës nga vendlindja e tij, e që sezonin e ardhshëm do të jetë pjesë e Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë së Veriut.

Pikërisht kampion dhe futbollistë me përvojë të madhe si Pollozhani i nevojiten skuadrës së Struga Trim Lum, që para fillimit të këtij sezoni kishte rikthyer një kampion strugan në rradhët e veta, Nijas Lenën, ndërsa gjithashtu kishte transferuar edhe disa futbollistë mjaft cilësorë, që në të kaluarën e tyre kishin luajtur në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, transmeton “infOSport.mk”.

Rikujtojmë Pollozhani përveç me Flamurtarin në Shqipëri, kishte luajtur edhe me Dinamo Tiranën, Apoloninë e Fierit, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe në Gjermani me Tuz Koblenc, në Kroaci me Sesvete dhe në Rusi me Krilja Sovjetov dhe Torpedo Moska.

Leave a Reply