Vazhdojnë sukseset e Zekirja Ramadanit në futbollin e Kosovës. Strategu shkupjan pas titullit kampion me Feronikelin të fituar ditë më parë, ai sonte me skuadrën drenase fitoi edhe Kupën e Kosovës, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra e Feronikelit në stadiumin “Fadil Vokrri” mundi skuadrën e Trepça ’89, një tjetër skuadër me të cilën Ramadani vite më parë ishte shpallur kampion në futbollin elitarë të Kosovës.
5:1 ishte rezultati i ndeshjes finale, në të cilën Feronikeli në asnjë rast nuk vuri në dyshim fitoren. Serinë e golave e hapi Astrit Fazliu, ish futbollisti i Shkëndijës, me një super gol nga distanca në minutën e 16-të, ndërsa Mendurim Hoti në minutën e 27-të dyfishoi epërsinë e Niklit në 2:00.
Ishte ky rezultati i pjesës së parë, ndërsa pjesa e dytë dhuroi edhe 4 gola të tjerë, përfshirë këtu edhe golin e vetëm të mitrovicasve të shënuar nga ana e Mujës në minutën e 73-të.
Në anën tjetër për Feronikelin në këtë pjesë të saktë ishin Morina dhe golashënuesi më i mirë i sezonit në elitën e futbollit kosovar, Kastriot Rexha, i cili shënoi dy golat e fundit të këtij takimi.
Triumfi i Feronikelit ka bërë që Prishtina të buzëqesh, pasi skuadra nga kryeqendra kosovare si skuadra e dytë në tabelë do të luaj në ndeshjet eliminatore të Liga Europa.