Përballja për Europë ndërmjet Rabotniçkit dhe Shkupit që në program është të dielën në kuadër të xhiros së fundit në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë vlerësohet më derbi dhe do të luhet në stadiumin e kryeqytetit “Todor Proeski”.
Mirëpo nga tabori i “Romantikëve” si duket është shfaqur një llojë frike, pasi drejtuesit kanë marrë vendim që ndeshja të luhet pa tifozë mysafir. Rabotniçki si organizator i ndeshjes dhe si nikoqir i përballjes me Shkupin ka kërkuar nga Federata e Futbollit të Maqedonisë që të mos pranojnë tifozë mysafirë, me arsyetim që t’iu shmangen çfarë do lloj dëmi që mund të bëhet nga ana e tifo-grupeve në stadium,pasi nuk garantojnë dhe nuk kanë mundësi të sigurojnë për ta ruajtur gjendjen momentale të arenës “Todor Proeski”, ndërsa për të njejtën e kanë njoftuar edhe klubin e Çairit.
Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë më parë në përballjet Rabotniçki-Shkupi, pasi të gjitha transfertat me “romantikët”, Shkupi i ka luajtur me mbështetjen e tifozëve të saj dhe nuk ka patur asnjë ndalesë. Përballja Rabotniçki-Shkupi luhet të dielën nga ora 16:30 dhe të gjithë sytë e dashamirëve të futbollit janë pikërisht në këtë ndeshje, pasi lufta është për pozitën e katërt që çon në Liga Europa./InfOSport.mk