Federata e Futbollit të Maqedonisë me fondacion të UEFA-së për fëmijët, ka inauguruar fushën e futbollit në kuadër të SOS Fshatit të Fëmijëve.
FFM ka bërë rikonstruimin e terrenit artificial me fonde nga UEFA, ndërsa sot është bërë hapja solemne e së njëjtës, në të cilën morën pjesë presidenti i Shtëpisë së Futbollit të vendit tonë, Muamed Sejdini së bashku me sekretarin Filip Popovski dhe Zorica Serafimovska nga SOS Fshati i Fëmijëve.
Qëllimi i projektit të përbashkët është ngritja e frymës sportive tek 40 fëmijët dhe të rinj që janë pa kujdes të prindërve dhe të ngritet mentaliteti i tyre përmes prizmit të punës ekipore, bashkëpunimit dhe motivimit për arritje të rezultateve.
“SOS Fshati i fëmijëve më shumë se 15 vite punon me përkushtim dhe lufton për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve në vendin tonë, ndërsa ky kontribut i FFM-së në rikonstruimin e fushës së futbollit në kuadër të Fshatit të fëmijëve është mbështetje nga ne, jo vetëm për ju, por edhe për gjithë fëmijët që do ta shfrytëzojnë këtë terren. Ne gjithmonë do të angazhohemi të kemi rol aktiv në shoqëri dhe do të vazhdojmë të japim kontribut në aktivitetet dhe projektet të cilat theksojnë edhe përgjegjësinë shoqërore”, – tha presidenti i FFM-së, Muhamed Sejdini. (SHENJA)