Skuadra e Feronikelit nga Drenasi që udhëhiqet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani është shpallur kampione e Kosovës në futboll për edicionin 2018/2019, njofton “infOSport.mk”.
Në ndeshjen vendimtare që vendoste për titullin e kampionit, Feronikeli në terren vendas shënoi fitore minimale 1:0 ndaj Prishtinës, që edhe për të tretin vit me rradhë duhet të kënaqet me epitetin e nënkampionit.
Golin e vetëm i vlefshëm me titullin e kampionit për Feronikelin e realizoi Ylli Hoxha në minutën e 80-të, duke ju dhënë fund shpresave të Prishtinës se mund të shënojnë atë gol të shumëdëshiruar, me të cilin titulli do të udhëtonte drejt kryeqendrës kosovare.
Kësisoj Feronikeli iu gëzua titullit të tretë kampion, pas viteve 2015 dhe 2016, ndërsa Prishtina mbetet në shifrën e 10 titujve kampion, me të fundit që e kishte fituar në vitin 2013-të.
Feronikeli në 33 javë kampionat ka tubuar 80 pikë, më shumë se çdo skuadër tjetër deri më tani, duke lënë pas vetes Prishtinën me 75 pikë, ndërkohë vendi i tretë ishte për Llapin. Vendi i katërt i takoi skuadrës kampione të edicionit të kaluar, Dritës, që pjesën e dytë të kampionatit udhëhiqej nga strategu shkupjan, Ardian Nuhiu, teksa vendi i pestë i takoi Ferizajit, që në këtë mënyrë përfitoi 5 mijë euro nga Federata e Futbollit të Kosovës.
Trepça ’89 dhe Gjilani do të luajnë në barazh, derisa Liria dhe KEK-u sezonin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Parë.