Ka marrë fund aventura e Besir Demirit te skuadra e Mariupolit në Superligën e Ukrainës. Demiri ka mbyllur parakohe bashkëpunimin me skuadrën ukrainase, duke u larguar katër xhiro parafundit, ndërsa kontrata i skadonte në qershor, por shkupjani nuk ka dashur të rinovojë.
Lajmi është bërë i ditur nga gazetari Aziz Sahiti në emisionin “Java Sportive” në televizionin Shenja, me Demirin që është rikthyer në Shkup dhe në merkaton e verës do të kërkojë një ambient të ri për tu transferuar.
Për mbrojtësin nga Shkupi deri tani interesim kanë shfaqur disa klube nga Superliga e Turqisë. Kujtojmë që për Besir Demirin kjo ishte aventura e tij e parë jashtë kampionatit vendor, pasi më herët në elitë ka luajtur për Shkëndijën, Shkupin dhe Vardarin, ndërsa me këta të fundit ishte pjesë edhe suksesit historik të grupeve në Liga Evropa.