Sonte do të zhvillohet finalja e Kupës së Italisë, ku do të përballen Atalanta dhe Lacio, dy skuadra në të cilat militojnë edhe futbollistë shqiptarë. Te Atalanta shpresojmë të kemi dyshen Etrit Berisha-Berat Xhimshiti si titullarë, ndërsa te Lacio, Thoma Strakosha-Riza Durmishi, duke pasur parasysh se Valon Berisha është i dëmtuar.
Dy skuadrat kanë arritur me meritë deri në finale, pasi Atalanta ka eliminuar me radhë Kaljarin, Juventusin dhe Fiorentinën, ndërsa Lacio ka nxjerrë jashtë kompeticionit Novarën, Interin dhe Milanin.
Atalanta është duke bërë një sezon spektakolar, ku përveç arritjes në finalen e madhe, është në garë edhe për një vend në Ligën eKampionëve për edicionin e ardhshëm.
Nga ana tjetër, Lacio ka komplikuar rrugën edhe për në Liga Europa, dhe pikërisht trofeun e Kupës e sheh si mundësi për të siguruar një vend në garat europiane sezonin e ardhshëm.
Ndeshja Atalanta-Lacio starton në ora 20:45 dhe e njëjta do të drejtohet nga arbitri, Luka Banti.