Klubi i Futbollit Shkëndija në të ardhmen synon mes tjerash ndërtimin e një Akademie profesionale që do të zhvillojë talentët e reja në futbollistë cilësorë dhe modeli më i mirë për tu ndjekur në rajon padyshim se është Dinamo Zagrebi.
Gjigandi kroat posedon shkollën më të mirë të futbollit në ish-Jugosllavi, derisa emri i tyre figuron në top 5 Akademitë më të suksesshme në Europë. Në këtë drejtim, duke shfytëzuar qëndrimin e tyre në Tetovë si mysafirë të Universitetit Shtetërorë të Tetovës, KF Shkëndija ka pritur në zyrat e klubit trajnerët e Akademisë së Dinamo Zagrebit, duke hedhur hapin e parë drejt nisjes së bashkëpunimit më të ngushtë mes dy klubeve.
Presidenti i skuadrës kuqezi, Visar Bexheti bashkë me drejtorin e shkollës së moshave të KF Shkëndija, Erhan Selimin, koordinatorin Vedut Rustemi dhe trajnerin kondicional, Metin Dalip mbrëmë pritën trajnerët e Dinamo Zagrebit, Krešimir Šoš, Tamara Despot dhe Davorin Antoniç duke folur kryesisht rreth mënyrës së funksionimit dhe punës që bëhet me moshat e reja te skuadra kroate.
Shoqërimi mes dy palëve do të vazhdojë të gjatë ditës së sotme kur kroatët do të asistojnë në një seancë stërvitore me gjeneratat U15 dhe U16 të Shkëndijës në demonstrimin praktik të metodave të punës që përdoren te Dinamo Zagrebi, ndërsa para trajnerëve të shkollës së futbollit të Shkëndijës do të mbajnë orë teorike me spjegime rreth procesit stërvitorë që praktikohet te kjo Akademi e suksesshme.