Boksieri bullgar, Kubrat Pulev u tregua i ‘guximshëm’ kur puthi një gazetare pas një meçi të tij, por duket se e ka pësuar rëndë me dënimet që ka marrë.
Pulev fillimisht është gjobitur, pezulluar dhe është urdhëruar të ndjekë orë për parandalimin e ngacmimeve seksuale.
38-vjeçari e kishte puthur gazetaren Jennifer Ravalon pa lejen e saj, teksa ishte duke e intervistuar pas fitores ndaj Bogan Dinus në muajin mars të këtij viti.
Meçi u zhvillua në Kaliforni, teksa Komisioni Atletik i Kalifornisë e ka gjobitur me 2,500 dollarë bullgarin dhe do të ndjek orë të detyruara për parandalimin e ngacmimeve seksuale, para se të ketë ndonjë meç tjetër në Amerikën Veriore.
Nëse ai zbaton në përpikmëri dënimin e marrë, pas 22 korrikut mund të aplikojë për të pasur licencë të re për boks.
Gjatë seancës gjyqësore të martën, Pulev i kërkoi falje gazetares.
Në rast se kthehet në boksin profesionist sërish, ai është kandidat potencian për t’u ndeshur me Entoni Xhoshua dhe Tajson Fjuri, për të marrë ‘rripin e artë’ në peshat e rënda.