Prishtina fiton derbin me Llapin, Feronikeli i Ramadanit nuk gabon (VIDEO)

Sot në kuadër të javës së 31-të në elitën e futbollit kosovar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë u zhvillua derbi ndeshja midis Prishtinës dhe Llapit, e ku në fund fitores iu gëzua skuadra vendase, që në këtë mënyrë vazhdon garën për titullin e kampionit, njofton “infOSport.mk”.

Prishtina shënoi fitore minimale 1:0, ndërsa golin e vetëm të këtij takimi Mërgim Pefqeli e realizoi vetëm dy minuta para fundit të takimit.

Ky gol solli shumë gëzim në mesin e tifozëve vendas me në krye “Plisat”, të cilët gjatë ndeshjes kishin shpalosur një pankartë me mbishkrimin: ”Kur në Shkup ka padrejtësi, as për ne nuk ka qetësi”, duke aluduar në dënimin e dy prej tifozëve “Shvercerat – Shkup”, që u dënuan me nga 19 vite secili pas rrahjes së “komitit”, Sazdovski, i cili si pasojë nuk mundi të jetojë dhe disa ditë më vonë ndërroi jetë.

Falë kësaj fitore, Prishtina rikthehet në pozitën e dytë me 72 pikë, dy më pak se lideri i tabelës, Feronikeli që sot mundi Dritën, me rezultat 4:1.

Skuadra nga Drenasi që drejtohet nga strategu shkupjan, Zekirja Ramadani, ishte dukshëm skuadër më e mirë se kampionja në fuqi e Dritës, që në anën tjetër udhëhiqet nga Ardian Nuhiu, që të dy këta ish trajner të FC Shkupit para se të vazhdonin punën e tyre në futbollin kosovar.

Kastriot Rexha realizoi dy gola për “Niklin”, teksa Mendurim Hoti dhe braziliani Karioka shënuan nga një gol tjetër. Golin e vetëm për skuadrën nga Gjilani e realizoi Filonit Shaqiri, i cili shënoi një super gol me një goditje nga distanca.

Feronikeli kryeson tabelën me me 74 pikë, ndërkohë, fitoren e parë pas 9 xhirove e ka regjistruar skuadra prizrenase e Lirisë, që në terren vendas me rezultatin 3:1 mundi KEK-un. Kujtojmë që të dyja këto skuadra sezonin e ardhshëm do të luajnë në Ligën e Parë, pasi humbën statusin e skuadrës elitare.

Leave a Reply