SH.M. “Cvetan Dimov” shpallet edhe kampione shtetërore në ligën e futsalit shkollor

Pas titullit kampion në nivel të qytetit të Shkupit, ekipi i futsalit të SH.M “Cvetan Dimov”, i udhëhequr nga dyshja e profesorëve të edukatës fizike, Enes Qaili dhe Samet Sinani,  është shpallur kampione e futsalit shkollor edhe në nivel shtetëror, njofton “infOSport.mk”.

Ata dolën më të mirë në ndeshjet finale, ku morrën pjesë 6 skuadrat kampione nga rajone të ndryshme të Maqedonisë, e ku secila skuadër luajti ndaj njëra tjetrës. Skuadra e Cvetan Dimov në 5 ndeshjet e zhvilluara në 3 qytete të ndryshme regjistroi 4 fitore dhe 1 barazim, edhe atë kundër ekipit të SH.M “Akademia Sportive” – Prilep, që në fund u rendit në vendin e dytë, ndërkohë vendi i tretë i takoi SH.M “Kosta Susinov” nga Radovishi.

Në vendin e katërt u renditë SH.M “Jovçe Tesliçkov” nga Velesi, vendi i pestë i takoi SH.M “Akademia Sportive” – Tetovë, teksa SH.M. “Metodi Brico” nga Shkupi u rendit në pozitën e fundit.

Plotë 33 gola realizoi ekipi i Cvetan Dimov në 5 ndeshjet e saj, apo nga 6.6 gola për ndeshje. Ergin Rexhepi u shpallë si golashënuesi më i mirë i ligës shtetërore për shkollat e mesme, Besmir Rexhepi u shpall si portieri më i mirë, teksa Blerim Ameti më i mirë i ligës, transmeton “infOSport.mk”.

Për SH.M “Cvetan Dimov” ishte ky titulli i parë në nivel shtetëror, duke mbyllur kështu këtë vit shkollor me dy trofe të rëndësishëm dhe si kampion absolut në ligën e futsalit për shkollat e mesme në vend.

Leave a Reply