Drejtuesit e Barcelonës janë të vendosur që të ndahen me mesfushorin brazilian, Filipe Kutinjo, shkruan “Marca”, përcjellë “infOSport.mk”.
Nga kjo skuadër janë të zhgënjyer me paraqitjet e brazilianit këtë edicion, që janë larg pritshmërive që ai ka demonstruar gjatë pranverës, por edhe gjatë kampanjës së kaluar.
Gjithashtu edhe tifozët e Barcelonës janë të pakënaqur me mesfushorin e tyre, me të cilin nuk janë në raporte të mira kohën e fundit.
Barcelona e bleu Kutinjon nga Liverpulli për shumën e 120 milion eurove, ndërsa edhe 40 milion të tjera duheshe ti jap në formë bonusesh.
Sipas britanikes “The Guardian”, 25 milion nga këto bonuse mund të mos paguhen fare nga drejtuesit e Barcelonës.
Për momentin janë përmbushur vetëm 3 kushte për marrjen e bonuseve, 5 milion euro për kualifikimin në Ligën e Kampionëve që në vitin e parë, 5 milion euro për kualifikim në Ligën e Kampionëve edhe në vitin e dytë dhe 5 milion euro për zhvillimin e 25 ndeshjeve brenda një sezoni.
Plotë 20 milion euro duhet të kalojnë në xhiro llogarinë e Liverpullit, nëse Kutinjo arrinë shifrën e 100 ndeshjeve me fanellën e Barcelonës.
Deri më tani, Kutinjo me Barcelonën numëron 74 ndeshje, ndërsa maksimum mund të zhvillojë edhe 3 ndeshje deri në mbyllje të këtij edicioni.
Shuma tjetër prej 5 milion eurove nga bonuset, kishte të bëjë me Ligën e Kampionëve dhe trofeun e saj, e që në realitet nuk ndodhi, pasi Barcelona u eliminua në gjysmëfinale pikërisht nga ish skuadra e brazilianit, Liverpulli.
Nëse Barcelona do ta shiste Kutinjon këtë verë, atëherë do të minimizonte humbjet përveç 135 milion eurove të shpenzuara deri më tani për këtë futbollistë.