Futbolli anglez dominon futbollin europian. Pas finales së Ligës së Kampionëve që do flet anglisht, e tillë do të jetë edhe finalja e Liga Europa, madje me dy skuadra londineze, Arsenal dhe Çelzi, njofton “infOSport.mk”.
Arsenali fitoi edhe ndeshjen e dytë ndaj Valencias, kësaj rradhe në “Mestalja” me rezultatin 4:2, me ç’rast në finalen e madhe u kualifikua me stil dhe me rezultatin e përgjithshëm 7:3.
Dyshja sulmuese Lakazet – Obamejang u tregua vrastare sonte në “Mestalja”, me këtë të fundit që realizoi “hat-trik”, teksa francezi shënoi një gol dhe asistoi në një tjetër të shënuar nga bashkëlojtari i tij i sulmit, Obamejang.
Për dallim nga Arsenali, skuadra e Çelzit deri në finalen e madhe arriti vetëm pas ekzekutimit të penaltive, pasi ndeshja në kohën e rregullt dhe pas vazhdimeve dy herë nga 15 minuta u mbyll me shifrat 1:1, njëjtë sikurse edhe ndeshja e parë në Frankfurt. Loftus Çik në minutën e 28-të kaloi në epërsi Çelzin, teksa futbollisti më i mirë i Frankfurtit, Luka Joviç në minutën e 49-të barazoi shifrat në 1:1.
Ky rezultat doli të jetë përfundimtarë edhe pas 120 minutave lojë, ndërsa në ruletin e penaltive anglezët ishin më të suksesshëm, edhe përkundër faktit se të parët huçën me anë të Azpilikuetës, që më pas portieri i “bluve” të Londrës të ndalë goditjet e Hintereger dhe Pacienca dhe të dërgojë Çelzin në finalen e madhe, transmeton “infOSport.mk”.
Aty skuadra e trajnerit Mauricio Sarri do të takohet me rivalët londinez të Arsenalit, ndeshje kjo që në program është me datë 29 maj në Baku të Azerbejxhanit.