Mbrojtësi i Totenhamit, Dani Rouz ka pranuar se skuadra e tij ishte e entuziastmuar nga paraqitja e Liverpullit përballë Barcelonës (4:0), për të luftuar deri në fund për atë përmbysje fantastike përballë Ajaksit.
Skuadra londineze tregoi se si nuk duhet dorëzuar asnjëherë dhe se për suksesin duhet luftuar deri në fund. Ata një gjë të tillë bënë pikërisht mbrëmë në ndeshjen e kthimit të ½ së finales të Ligës së Kampionëve kundër Ajaksit, ndaj së cilës skuadër shënuan një fitore infarkt 3:2, me një gol të shënuar vetëm në sekondën e fundit të minutës së 5-të shtesë.
“Spërsat” gjatë pjesës së parë ishin në disavantazh prej dy golave, mirëpo kjo nuk u pengoi atyre që të shpresojnë deri në fund, ndërsa e gjithë kjo dha rezultat fare në çastet e fundit të takimit, kur Moura me golin e tretë personal dërgoi Totenhamin në finalen e madhe.
“E ndoqëm Liverpullin mbrëmë. Ata në treguan se asgjë nuk ka përfunduar deri në fund. Ishim të zhgënjyer nga ndeshja e parë, ndërsa edhe ndeshjen e sotme e nisëm keq. Ishim shumë të hidhëruar në mes pjesëve, mirëpo gjatë pjesës së dytë dëshmuam se mund të luajmë. Trajneri na e përmendi Liverpullin në hotel, para se të niseshim drejt stadiumit. Na tha se një qëndrim i tillë, është ai i duhuri. Edhe nëse humbim, një gjë të tillë do të duhet ta bëjmë me krenari. Edhe nëse nuk do të fitonim ndeshjen do të ishim krenar për veten, mirëpo është e bukur që vazhdojmë më tej” – tha Rouz pas përfundimit të ndeshjes.
Në finalen e madhe Totenhamin e pret përballja kundër Liverpullit, ndeshje kjo që në program është me datë 1 qershor në Madrid, në stadiumin “Vanda Metropolitano”.