Shkëndija pas 14 ndeshjeve si vendas nuk fiton ndaj Sileksit

Shkëndija ka barazuar pa gola ndaj Sileksit në ndeshjet e javës së 33-të, duke zhgënjyer në këtë mënyrë tifozët e pranishëm në tribuna, njofton “infOSport.mk”. Shkëndija shihej si favorite në këtë përballje, mirëpo formacioni me të cilin zbriti Osmani në fushë, bëri që në start të mendohet se “kuqezinjtë” nuk do ta kenë të lehtë përballë një Sileksi shumë agresiv. Dhe në realitet ashtu ndodhi, pasi edhe përkundër inciativës që kishin të besuarit e trajnerit Osmani, në fund rrjetat pushuan.

Me këtë barazim Sileksi ndërpreu serinë negative prej 14 humbjeve rradhazi në Tetovë. Për herë të fundit që Sileksi ishte larguar i pamposhtur nga Tetova, ishte 23 prilli i vitit 2008, kur Shkëndija pësonte me rezultatin 1:2. Që nga ajo ndeshje Shkëndija kishte një seri impresionuese prej 14 fitoreve të njëpasnjëshme si vendas, dhe në përgjithësi 25 fitoreve, 2 barazimeve dhe vetëm një disfate në gjithsej 28 ndeshjet mes tyre, duke mos përfshirë këtu takimin e sotëm.

Rikujtojmë Shkëndija që javën që lamë pas siguroi titullin e kampionit në Maqedoni, që është i dyti rresht dhe i treti në historikun e skuadrës nga Tetova.

Leave a Reply