E shtuna sjell derbin e kryqytetit ndërmjet Shkupit dhe Vardarit në kuadër të xhiros së 32-të në Ligën e Parë të Futbollit të Maqedonisë së Veriut. Ndeshja do të luhet në Çair, ndërsa “bardhekaltërit” janë përgatitur maksimum për të dhënë më të mirë nga vetja dhe vetëm për ta fituar këtë derbi, që do të kënaq publikun “Shvercerat”, por dhe do të vazhdojë rrugëtimin e Shkupit për dalje në Evropë.
“Kjo do të jetë ndeshje shumë e rëndësishme për ne, por jo edhe për Vardarin, pasi e dimë se Vardari tani më e ka siguruar pozitën e dytë dhe daljen në Ligën e Evropës. Mirëpo ne kemi objektivat tona, pasi deri në fund të kampionatit ka edhe pesë ndeshje, që duhet sa më mirë ta kryejmë punë dhe ta arrijmë qëllimin që e kemi të gjithë në klub, të mbetemi në pozitën e katërt dhe shpresojmë që Akademija Pandev të fitojë Kupën. Sa i përket ndeshjes së Vardarit, ajo është mëse e rëndësishme për ne, pasi që luajmë me një kundërshtarë mjaft të fortë, pastaj është derbi i qytetit, që është e rëndësishme si për ne lojtarët ashtu edhe për tifozët tanë “Shvercerat” dhe për publikun e rëndomtë. Premtoj se i gjithë ekipi do të japim maksimumin që të nxjerrim rezultat pozitiv, e që për ne rezultat pozitiv është fitorja që të mbesim në garë për pozitën e katërt”, ka thënë Muharem Bajrami për kanalin zyrtar të FC Shkupit.
Takimi Shkupi-Vardari luhet nesër në stadiumin e Çairit, duke nisur nga ora 16:00.