Arsenali ka shënuar fitore 3:1 në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Liga Europa, duke qenë më afër realizimit të ëndërrës, kualifikimin për në finalen e madhe, teksa sa i përket takimit të dytë, atij të zhvilluar në Frankfurt midis Ajntrahtit dhe Çelzit, e njëjta u mbyll me rezultatin e barabartë 1:1, me ç’rast gjithçka pritet të vendoset vetëm në ndeshjen e kthimit në “Stemford Brixh”, që në program është saktë pas një jave, njofton “infOSport.mk”.
Valencia avansoi e para në “Emirates Stadium” me anë të Diakhabi (11’), mirëpo Arsenali shumë shpejtë u rikthye në lojë duke barazuar me anë të Lakazete në minutën e 18-të, ndërsa po i njëjti futbollistë në minutën e 26-të, pas asistit të Granit Xhakës shënoi edhe golin e dytë, duke kaluar për herë të parë në këtë ndeshje në epërsi Arsenalin.
Golin e tretë dhe të sigurisë “topçinjtë” e shënuan në minutën e parë shtesë të takimit, kur Obamejang u gjind më së miri në zonën kundërshtare dhe nga afërsia mposhti portierin Neto.
Për dallim nga Arsenali, skuadra tjetër londineze luajti baraz 1:1 në transfertën në Frankfurt ndaj Ajnhtrahtit, duke lënë gjithçka hapur për takimin e kthimit.
Joviç kaloi në epërsi Ajntrahtin në minutën e 23-të, ndërkohë spanjolli Pedro barazoi shifrat vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë.