Pas Ligës së Kampionëve sonte është radha për ndeshjet e para gjysmëfinale të Liga Europa, ku dy skuadrat favorite Arsenali dhe Çelzi do të tentojnë të bëjnë hapin e madh drejt finales së këtij kompeticioni që do të zhvillohet në Baku.
Në “Emirates Stadium” dhe në “Commerzbank Arena” spektakli pritet të jetë i garantuar pasi si të 4-ta skuadrat e dëshirojnë me çdo kusht finalen e Ligës së Europës.
Arsenal-Valencia mes dy emrave të mëdhenj të futbollit europian ku skuadra angleze për shkak se ka në gjirin e saj edhe një trajner strateg si Unai Emeri për këtë lloj kompeticioni, është në avantazh sidomos në ndeshjen e parë që “Topçinjtë” e luajnë në shtëpi.
Gjithsesi mungesat e shumta që ka Arsenali në këtë duel për shkak lëndimesh ja vështirësojnë shumë punën trajnerit Emeri.
Ramzi, Bellerin, Holding, Uelbek dhe Denis Suarez nuk janë të gatshëm, ndërkohë që në dyshim është edhe Naço Monreal.
Po në orën 21:00 në Gjermani, Çelzi do të ketë pengesën e parë të vështirë në këtë edicion të Ligës Europa.
Përballë një Frankfurti që do të ketë mbështetjen e zjarrtë të tifozëve gjermanë pasi është skuadra e vetme që përfaqëson Bundesligën në kompeticionet europiane, skuadra e Mauricio Sarrit nuk pritet ta ketë aspak të lehtë.
Kujtojmë se fituesi i Ligës Europa siguron direkt kualifikimin për në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pa marrë parasysh pozicionimin që do ta kenë në ligat përkatëse.