Klop i përgjigjet Messit: Edhe ne duam të luajmë në finale

Trajneri i Liverpullit, Jurgen Klop beson se skuadra e tij do të arrijë që të marrë një rezultat pozitiv në ndeshjen e parë sonte në “Kamp Nou” përballë Barcelonës.

Strategu gjerman e ka konsideruar “të rrezikshme” deklaratën e Messit për të fituar Ligën e Kampionëve, pasi sipas tij edhe synimi i skuadrës së tij është arritja e finales.

“Jam i apasionuar pas futbollit, si mund të mendoj diçka të keqe në këtë stadium? Shpresojmë të luajmë mirë. Kur ata kanë topin, duhet të kesh shumë durim dhe të mos frustrohesh. Ata do të bëjnë shumë pasime dhe ne duhet ta pranojmë këtë gjë”, – tha Klop.

“Duhet të presim momentin tonë, duhet të jemi një kërcënim i madh për ta. Barcelona është një skuadër shumë e mirë. Kam ndjekur shumë ndeshje të skuadrave të tjera në ‘Kamp Nou’, por unë vetë nuk kam qenë ndonjëherë kundërshtar, prandaj do të jetë interesante të testoj veten time ndaj tyre. Nuk duhet të harrojmë se edhe ne nuk jemi kundërshtari i ëndrrave për skuadrat e tjera. Do të bëjmë çmos për të fituar”, – është shprehur Klop.

Messi?

“Barcelona nuk është vetëm Messi, ai ka shumë kualitet. Ata janë tashmë kampionë. Në fillim të sezonit, Messi ka deklaruar se dëshiron që ta marrë këtu Kupën  dhe kjo është një deklaratë e rrezikshme për ne, por edhe ne duam që të shkojmë në finale”, – përfundoi Klop.

Ndeshja midis Barcelonës dhe Liverpullit sonte starton në ora 21:00, ndërsa arbitër kryesor i saj do të jetë holandezi, Kjuipers.

Leave a Reply