Ylli i përfaqësueses së Kosovës, Milot Rashica është duke kaluar një formë të jashtëzakonshme me petkun e Verder Bremenit në Bundesligën gjermane.
Rashica në gjithsej 27 ndeshje të këtij edicioni ka shënuar 11 gola, 8 prej të cilëve në Bundesligë dhe 3 në kuadër të Kupës së Gjermanisë.
Pikërisht golat, por edhe paraqitjet e tij fantastike, kanë bërë që për vushtrriasin të interesohen shumë klube me renome, teksa së fundmi prestigjiozja britanike “Daily Mirror”, raporton se futbollisti kosovar është në radarin e drejtuesve të skuadrës kampione të Bajernit të Munihut.
Për 22-vjeçarin kanë shfaqur interes dhe anglezët e Kristal Pallas, ndërsa gjithashtu ineteres kanë shfaqur edhe disa skuadra tjera në Bundesligë.
Kujtojmë që në ndeshjen e para pak ditëve në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Gjermanisë, Milot Rashica i shënoi Bajernit, ndërsa gjithashtu edhe asistoi në golin e parë të japonezit, Osaka. Në fund megjithatë ishte Bajerni skuadra që u kualifikua për në finalen e madhe, pasi falë golit të shënuar nga Levandovski në minutën e 80-të shënoi fitore 3:2.