Futsal Shkupi i ka mbajtur sërish leksion rivalit kryesor për titull gjatë këtij edicioni, Velesit, duke e mundur edhe në ndeshjen e katërt nga gjithsej 5, njofton “infOSport.mk”. Skuadra “bardhekaltër” nga Çairi sonte në palestrën “Enver Idrizi” shënoi fitore 8:5 ndaj skuadrës nga Velesi, që bëri ballë vetëm gjatë pjesës së parë, kur në pushim skuadrat shkuan me rezultatin e barabartë 5:5.
Pjesa e dytë foli në tërësi për Futsal Shkupin, që shënoi 3 gola, duke regjistruar në këtë mënyrë fitoren e 25-të nga gjithsej 26 ndeshje të zhvilluara gjatë sezonit aktual.
Rexhep Sulejmani shkëlqeu sërish duke shënuar 4 gola, ndërsa nga një gol shënuan Arsim Fazliu, Eroll Dalipi, Erkan Shabani dhe Berat Ramadani.
Javën që vjen në program është java e fundit në elitën e futsalit vendor, në të cilën Futsal Shkupi do të mirëpret Zhelezarecin, ndërsa për këtë ndeshje drejtuesit e skuadrës nga Çairi po përgatisin një festë të vërtetë për titullin e dytë kampion në historikun e tyre.