Kostadin Zahov do ti mungojë Shkëndijës edhe për 3 javë të tjera. Gardiani “kuqezi”, u dëmtua në ndeshjen e javës së 26-të kundër Akademia Pandevit në transfertë, duke munguar në ndeshjet kundër Renovës dhe Vardarit, ndërsa pas kontrolleve të fundit, tashmë është e qartë se Zahov do ti mungojë Shkëndijës edhe në 5 ndeshjet e rradhës, edhe atë kundër Makedonija GJ.P (20.04), Bellasicës (24.04), Shkupit (28.04), Rabotniçkit (05.05) dhe Sileksit (08.05).
Nëse gjithçka shkon sipas planit të mjekëve, Zahov pritet të rikthehet në ndeshjen e javës së 34-të kundër Pobedës, ndërsa deri atëherë me shumë gjasa në portë do të vazhdojë të qëndrojë Bekim Rexhepi, i cili u paraqit në dy ndeshjet paraprake kundër Renovës dhe Vardarit.
22-vjeçari në 180 minuta lojë pranoi vetëm një gol në fitoren 2:1 ndaj Renovës dhe në një mënyrë për të dytin vit me rradhë jep kontributin e tij në rrugën drejt titullit kampion.