Barcelona është duke menduar që t’ia rinovojë sërish kontratën Leo Messit, megjithëse kjo do të varet edhe nga dëshira e 31-vjeçarit.
Këtë e ka thënë sërish presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu.
“Duhet të flasim. Të gjithë duam që Messi të qëndrojë përgjithmonë në Barcelonë”, tha Bartomeu.
“Para se të largohem si president, dua që ta lë atë me kontratë të rinovuar. Ai s’do të largohej kurrë nga Barça. Edhe nëse do të kishte një euro klauzolën, do të qëndronte”.
Messi, që u zhvillua në akademinë e Barcelonës, ku arriti si 13 vjeçar – është pjesë e ekipit të parë të Barcelonës që nga viti 2005.
Ai ka bërë deri më tani 678 paraqitje dhe ka shënuar 595 gola. Gjithashtu ka dhuruar edhe 230 asiste.
Me Barcelonën, Messi ka fituar më shumë se 30 trofe. Superkupa e Spanjës ishte trofeu i 33 dhe është shndërruar në futbollistin më të trofeshëm në histori të katalunasve.
Ky numër i trofeve mund të rritet dukshëm pas pak muajsh pasi Barcelona po synon të fitojë tripletën – La Ligan, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve.