Frank Riberi do të largohet nga Bajern Munih në fund të këtij sezoni, duke i dhënë fund qëndrimit prej 12 vitesh në klubin “bavarez”.
36-vjeçari ka vendosur të mos largohet që tani nga futbolli dhe do e vijojë karrierën në Arabinë Saudite, te skuadra e Al Sadd, aty ku luan edhe ish-mesfushori i Barcelonës, Çavi Hernandez, sipas informacioneve të dala nga gjermania “Kicker”.
Për francezin ky sezon i fundit te Bajerni nuk ka qenë pozitiv, i ndikuar shumë edhe nga dëmtimet dhe ka arritur të shënojë vetëm 5 gola, madje prej 22 dhjetorit nuk e di shijen e golit.
Ende nuk janë zbuluar shifrat dhe kontrata e Riberit me Al Sadd, por dihet që lëvizje të tilla bëhen për miliona euro dhe francezi do shtojë të ardhurat në llogarinë e tij me një kontratë të majme.
Riberi kaloi te Bajern në vitin 2007 dhe prej asaj kohe ka luajtur 420 ndeshje, ku ka shënuar 122 gola dhe ka dhënë 183 asist.
Ai ka fituar 8 tituj kampion në Gjermani dhe një në Ligën e Kampionëve në sezonin 2012-13, ku pretendoi të fitonte edhe “Topin e Artë”, por nuk ndodhi ashtu.