Befasi e madhe në Superligën e Kosovës: Feronikeli kryesues është mundur bujshëm në fushën e vet nga Ferizaj, 2-1, dhe tashmë ka shpërdoruar gjithë avantazhin që kishte ndaj Prishtinës deri para pak javësh.
U duk gjithçka e mbyllur në 6 mars, kur Prishtina u ndal te barazimi në shtëpi nga Feronikeli, por që atëherë skuadra e Mirel Josës ka 6 fitore, ndërsa Feronikeli i Zekirija Ramadanit ka lëshuar pikë dhe sot ka bërë gabimin më të madh, sepse kryesonte 1-0 në shtëpi dhe u mund 1-2, nga dy gola të Ermal Krasniqit në 15 minutat e fundit të takimit.
Ndërkaq, Prishtina u mjaftua me një fitore 1-0 ndaj KEK-utmodest, duke mos shpenzuar shumë energji, pas golit të Lorik Boshnjakut në minutën e 36-të. Me këtë fitore, Prishtina barazon Feronikelin në krye me 62 pikë, por ndërkohë Llapi afrohet pa zhurmë, sepse sot ka mundur 2-1 Gjilanin (shënoi Endri Magani për miqtë) dhe është vetëm 2 pikë larg kreut.
Vetëm 6 ndeshje deri në fund, në 11 maj luhet Prishtina-Llapi dhe një javë më vonë Llapi-Feronikeli. Kush del kampion?