Në një intervistë të dhënë sot për ATP, tenisti zviceran Roger Federer ka rrëfyer një moment të vështirë të karrierës së tij. Numri 4 në botë, fitues i 20 grand slam, ka deklaruar se për një moment ka menduar tërheqjen. Kjo ndodhi në vitin 2016, kur u shfaqën problemet e para të një dëmtimi në gju.
“Në vitin 2016, pasi humba gjysmëfinalen e Australian Open ndaj Djokovic, isha dëmtuar në gju. Më thanë se nuk ishte asgjë e rëndë, por kur u ktheva në Zvicër bëra rezonancën magnetike. Aty doli që menisku ishte këputur. Nuk mund ta besoja, pasi për herë të parë në karrierën time do të operohesha”, tha Federer.
“Nuk dija se çfarë të bëja, të vazhdoja apo jo. Shihja këmbën dhe mendoja nëse do të ishte njësoj si më parë apo jo. Procesi i rehabilitimit nuk shkoi menjëherë mirë, pasi gjuri nuk ishte ende gati kur nisën ndeshjet në fushat me dhè. Më pas nisën problemet me shpinën, ndaj u tërhoqa nga Roland Garros, pasi e dija që aty nuk do të fitoja asnjë ndeshje”, shprehet zvicerani.
“Ndalesa që bëra ishte e gjatë dhe më ndihmoi, pasi pata kohën e duhur për të rikuperuar dhe rikthyer sërish në fushë në formën optimnale. Më pas historinë e dini…”, thotë Federer. Pas rikthimit nga operacioni, zvicerani fitoi edhe 3 grand slam dhe aktualisht numëron 101 turne të fituar në karrierën e tij. Një legjendë.