Ermir Lenjani të enjten realizoi një dygolësh shumë të rëndësishëm, duke i siguruar fitoren 2:1 skuadrës së tij në transfertën ndaj Sionit në kadër të javës së 27-të në elitën e futbollit zvicerian.
Falë kësaj “dopiete” ai doli të jetë golashënuesi i dytë te skuadra e Sion, me 5 gola të shënuar, 3 më pak se goleadori i skuadrës, Pajtim Kasami, struganin që këtë edicion ka shënuar 8 gola.
Nga një futbollist me cilësi të mira mbrojtëse Lenjani është shndërruar në element shumë i rëndësishëm për sulmin, tipare që i ka shfaqur edhe me ngjyrat kuqezi.
“Unë luaj aty ku më vendos trajner. Por është e vërtetë, që tani po luaj pak më i avancuar”, – tha Lenjani, i cili përmbahet kur pyetet për largimin e trajnerit Kristian Panuçi nga Kombëtarja shqiptare, e sigurisht nuk e fsheh krenarinë dhe dëshirën për t’u kthyer sa më parë me ngjyrat kuqezi.
“Mes meje dhe Panuçit është thënë gjithçka. Nuk kam asgjë për të shtuar. Lumturohem sa herë që më thërrasin në Kombëtare. Jam krenar që luaj për vendin tim”, – theksoi Lenjani, raportojnë mediet shqiptare.