Lazio ka mposhtur 1 me 0 Interin në derbin e sotëm. Portieri i Kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha u bë pengesa më e vështirë dhe e pakapërcyeshme për futbollistët zikaltër, teksa Interi dështoi të vijonte në gjurmët e suksesit të korrur në derbin e Milanos, për t’u dorëzuar para një goli të hershëm të serbit Milinkoviç-Saviç.
Lazio vinte në “San Siro” me një objektiv të qartë dhe të vetëm: të mos gabonte përballë zikaltërve, pasi në të kundërt do ta shihte veten jashtë zonës së Europës, e ajo e Championsit do të komplikohej edhe më tej.
Interi nga ana tjetër vinte me moral disi të lartë pas triumfit ndaj Milanit në ndeshjen paraardhëse, por problemet e brendshme mes stafit dhe një lojtari në veçanti, argjentinasin Icardi, duket se ndikojnë ende në kampin zikaltër.
Ndeshja në “San Siro” ishte e dyluftuar, me dominimin thuajse absolut të interistëve, por përballë tyre gjendej një fortesë e pathyeshme, që ka shpëtuar portën e tij nga prekja në të paktën 6 raste të pastra.
Golin e vetëm të sfidës e shënoi mesfushori fantazist, Milinkoviç-Saviç, i cili në minutën e 13 ndoqi me guxim një top të krosuar drejt shtyllës së dytë të portës së mbrojtur nga Handanoviç, e me kokë arriti ta kalonte portierin slloven duke çuar në delir ata pak tifozë bardhekaltër të ardhur nga kryeqyteti italian.
E pavarësisht përpjekjeve të trajnerit Spalletti në çerekun e fundit të lojës, duke hedhur forca të freskëta në fushë dhe muskujt e Nainngolan, apo edhe shpejtësinë e Candrevës, Interi nuk mundi të barazonte shifrat. Kjo humbje e lë Interin në vendin e tretë, me vetëm 2 pikë para Milanit, me kuqezinjtë që ndiqen nga Lazio me 3 pikë më pak, por me një ndeshje më shumë për të zhvilluar./Top Channel/