Struga Trim Lum sot në kuadër të javës së 18-të në Ligën e Dytë – Perëndim shënoi fitore 2:0 në udhëtim te Genç Kalemler, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo fitorja e 9-të sezonale për Struga Trim Lum, për të cilën më i merituar doli të jetë shkupjani, Florent Osmani.
Sulmuesi i ardhur gjatë merkatos së dimrit te Struga Trim Lum shënoi që të dy golat, edhe atë nga një në secilën pjesë.
Golin e parë Osmani e realizoi në minutën e 20-të, ndërkohë 5 minuta para fundit të takimit nga pika e bardhë shënoi edhe golin e dytë personal, që njëherit ishin golat e parë të tij me fanellën e Struga Trim Lum, por edhe të parët në përgjithësi për skuadrën strugane në stinorin pranveror, që në 3 xhirot e para kishte barazuar pa gola përballë Labunishtit, Korabit dhe Skopjes, transmeton “infOSport.mk”.
Falë fitores së sotme Struga Trim Lum tashmë numëron 34 pikë, 6 më shumë se Labunishti i vendit të dytë, ndërkohë Genç Kalemler mbetet në pozitën e parafundit me 18 pikë.